kim-jong-un-north-korea-dprk.jpg
Hakerët koreanoveriorë kanë vjedhur mbi 2 miliardë dollarë kripto në 2025
Data: 08/10/2025 10:10

Hakerët e lidhur me qeverinë e Koresë së Veriut kanë vjedhur mbi 2 miliardë dollarë në kriptomonedha vetëm këtë vit, bazuar në raportin e firmës së analizës së blockchain Elliptic. Ky shifër është më e larta në histori, ndërsa deri në fund të vitit kanë mbetur edhe tre muaj. Sipas Elliptic, vjedhjet janë kryer në mbi 30 sulme të veçanta përgjatë vitit, duke e kaluar ndjeshëm rekordin e vendosur vitin 2022, kur Koreja e Veriut vodhi 1.35 miliardë dollarë.

Synimi i ri: Individë të pasur dhe sulme përmes mashtrimeve sociale

Sipas Elliptic, grupet e sponsorizuara nga regjimi i Koresë së Veriut po zgjerohen përtej shkëmbimeve të kriptomonedhave. Prej tyre, çdo ditë po rritet numri i individëve me pasuri të lartë që bëhen cak i këtyre sulmeve. Sipas raportit, shumica dërrmuese e vjedhjeve në vitin 2025 janë kryer përmes inxhinierisë sociale, ku hakerët i mashtrojnë ose manipulojnë përdoruesit për të marrë qasje në portofolat e tyre. Kjo përbën një ndryshim të madh nga vitet e shkuara, ku shpeshherë shfrytëzoheshin dobësi teknike të platformave. Siç thekson Elliptic, pika e dobët në sigurinë e kriptomonedhave po shndërrohet gjithnjë e më shumë nga aspekti teknik në atë njerëzor.

Shifra rekord të vjedhjeve dhe qëllimet e regjimit korean

Që nga viti 2017, Elliptic vlerëson se të paktën 6 miliardë dollarë në kriptomonedha janë vjedhur nga aktorë të lidhur me Korenë e Veriut. Megjithatë, shifra mund të jetë edhe më e lartë, pasi jo të gjitha rastet raportohen ose mund të lidhen qartësisht me këtë shtet. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar se fondet e vjedhura përdoren për të financuar programin bërthamor të regjimit të Kim Jong-Un. Gjatë vitit 2024, qeveritë e Japonisë, Koresë së Jugut dhe SHBA-së konfirmuan vjedhjen e më shumë se 659 milionë dollarëve, duke përputhur përafërsisht raportin e Elliptic.

Pjesa më e madhe e humbjeve këtë vit erdhi nga një sulm i madh ndaj Bybit, një nga platformat më të mëdha të këmbimit të kriptomonedhave, ku u vodhën mbi 1.4 miliardë dollarë. FBI dhe firma të specializuara ndërkombëtare në monitorimin e kriptos i atribuojnë qartësisht këtë sulm hakerëve koreanoverior. Gjatë viteve të kaluara, viktima të tjera të sulmeve kanë qenë Axie Infinity (625 milionë dollarë në vitin 2022), startup-i Harmony (100 milionë në 2022), dhe shkëmbimi WazirX (235 milionë në 2024). Të gjitha këto fakte tregojnë për një tendencë në rritje të rrezikut për industrinë e kriptomonedhave në të gjithë botën.

Tags: Koreja e Veriut, hakerët, kriptomonedha, sulme kibernetike, inxhinieri sociale, vjedhje digjitale