Një kamion elektrik pa kabinë, i quajtur nga vëzhguesit “kamioni futurist i qumështit”, ka hyrë në histori pasi u bë mjeti i parë pa shofer që kalon një kufi ndërkombëtar dhe përfundon procedurat doganore pa praninë e një njeriu. Shoferi autonom realizoi një dërgesë tërësisht të pavarur nga Suedia në Norvegji, duke përmbushur automatikisht të gjitha kontrollet doganore në pikën kufitare Ørje për llogari të grupit logjistik PostNord.
Zhvillim inovativ në transportin ndërkufitar
Procedura doganore u realizua falë teknologjisë bashkëpunuese të zhvilluar në partneritet me kompaninë norvegjeze Q-Free, që lidh automjetin me platformën digjitale të doganave norvegjeze Digitoll. Kjo mundësoi deklarimin paraprak të mallrave dhe kalimin pa ndërhyrje manuale. Ky moment shënoi herën e parë që një automjet elektrik pa kabinë dhe pa drejtues e përmbyll këtë proces ndërkombëtar pa ndihmë njerëzore.
Prova u zhvillua si pjesë e projektit MODI të bashkëfinancuar nga BE, që synon të testojë sigurinë dhe mundësitë për zgjerimin e transportit autonom në të gjithë Europën. Operacionet ndërkufitare janë mes sfidave më të mëdha për mjetet autonome, për shkak të rregullave të ndryshme kombëtare, sinjalistikës së paunifikuar dhe procedurave të ndërlikuara të doganave. Autoriteti doganor i Norvegjisë, Tolletaten, mbështeti projektin dhe e vlerësoi këtë hap si shumë të rëndësishëm për të ardhmen e transportit ndërkombëtar të mallrave.
Projekti MODI hap rrugën drejt logjistikës së gjelbër dhe të sigurt
Henrik Green, CTO dhe Menaxher i Përgjithshëm për Einride Autonomous Technologies, u shpreh: “Jemi jashtëzakonisht krenarë që realizuam dërgesën e parë plotësisht të pavarur, elektrike dhe ndërkufitare pa kabinë në botë. Përkushtimi jonë është të zgjerojmë vazhdimisht kapacitetet, duke treguar si teknologjia autonome mund të përmirësojë sigurinë, efikasitetin dhe qëndrueshmërinë në transport. Projekti MODI mishëron këtë mision, duke kombinuar sigurinë me inovacionin dhe duke ndihmuar në përmbushjen e objektivave të BE-së.”
Kamioni është pjesë e një pakete të plotë teknologjike të zhvilluar nga Einride, kompania suedeze që qëndron pas projektit. Sistemi kombinon softwerin “Einride Driver” për operim autonom, një automjet të dizajnuar krejt pa kabinë dhe platformën “Control Tower” për menaxhimin dhe mbikëqyrjen e flotave në distancë. Kjo teknologji është ndërtuar për të rritur sigurinë, rendimentin dhe qëndrueshmërinë e trasportit rrugor të rëndë.
MODI bashkon partnerë publikë dhe privatë nga Suedia dhe Norvegjia, përfshirë Statens Vegvesen, Sintef, Q-Free, Trafikverket dhe Østfold kommune.
PostNord, që transporton rreth 200 milionë pako në vit në rajonin nordik, theksoi se testi demonstron potencialin e automatizimit për të ndryshuar logjistikën. May-Kristin S. Willoch, drejtore për Mjedisin në PostNord, deklaroi: “Pjesëmarrja në këtë moment historik tregon si teknologjitë autonome dhe digjitale mund të transformojnë transportin, të ulin emetimet dhe të rrisin sigurinë. Kjo arritje shënon një hyrje në epokën e re për industrinë e logjistikës.”
Ky sukses hap rrugën për inovacione të reja në transportin ndërkombëtar, duke demonstruar fuqinë e teknologjisë autonome për një të ardhme më të pastër, të sigurt dhe efikase.
Tags: kamion autonom, transport elektrik, dogana digjitale, logjistikë inovative, MODI project, teknologji pa shofer