Hakuesi fshin faqe raciste në kohë reale gjatë një konference

Një haktiviste fshiu në distancë tre faqe interneti supremaciste të bardha drejtpërdrejt në skenë gjatë një konference hakerash javën e kaluar, dhe këto faqe janë ende offline.
Haktivistja fshin faqet supremaciste gjatë një prezantimi në Kongresin e Kaosit
Hakerja me pseudonimin Martha Root — e njohur për pamjen e saj si Pink Ranger nga Power Rangers — fshiu serverat e WhiteDate, WhiteChild dhe WhiteDeal në kohë reale në fund të prezantimit gjatë kongresit vjetor Chaos Communication Congress në Hamburg, Gjermani. Prezantimi u bë në bashkëpunim me gazetarët Eva Hoffmann dhe Christian Fuchs, të cilët në tetor shkruan një artikull rreth këtyre faqeve të hakuara për gazetën gjermane Die Zeit.
Në momentin e shkrimit të këtij artikulli, të gjitha faqet WhiteDate, që quhej “Tinder për nazistët”, WhiteChild, e cila pretendonte të lidhte dhurues të spermes dhe vezëve supremacistë, dhe WhiteDeal, një treg pune për racistë, janë jashtë funksionit.
Administratori i këtyre tre faqeve konfirmoi publikisht sulmin kibernetik në rrjetet sociale, duke e quajtur atë “terrorizëm kibernetik” dhe premtoi ndërmarrjen e veprimeve në vazhdim. Ai deklaroi gjithashtu se Root kishte fshirë edhe llogarinë e tij në X (ish-Twitter), por kjo u rikthye më vonë.
Të dhëna të rrjedhura dhe siguri e dobët kibernetike
Videoja e prezantimit tregon momentin kur Martha Root, e veshur si Pink Ranger, infiltron faqen e njohur supremaciste dhe fshin të gjitha të dhënat e saj duke përdorur një chatbot inteligjence artificiale që mblodhi sa më shumë informacion nga përdoruesit. Root më pas publikoi të dhëna që pretendoi se janë marrë nga WhiteDate, duke theksuar se siguria kibernetike ishte aq e dobët sa “do ta vinte në siklet edhe llogarinë AOL të gjyshes suaj”. Imazhet e përdoruesve përmbanin të dhëna të sakta gjeolokacioni, duke rrezikuar adresat e tyre private.
Të dhënat e rrjedhura përfshijnë profilet e përdoruesve me emër, fotografi, përshkrime, moshë, vendndodhje (me koordinata të sakta, vend dhe shtet të zgjedhur nga përdoruesi), gjini, gjuhë, racë dhe të dhëna të tjera personale. Root sqaroi se nuk janë përfshirë email-e, fjalëkalime apo biseda private.
Sipas të dhënave, WhiteDate kishte mbi 6,500 përdorues, nga të cilët 86% ishin burra dhe 14% gra — një raport që u përfshi si sarkazëm nga Root, duke thënë “një raport gjinor që e bën fshatin e Smurfs të duket si një utopi feministe”.
Root arriti të depërtojë në këto faqe duke përdorur chatbot-e të AI të cilat kaluan proceset e verifikimit dhe u aprovuan si “të bardhë”. Kolektivi DDoSecrets, i cili ruan të dhënat e hakuara për interes publik, ka marr dosje dhe informata të përdoruesve nga këto tre faqe dhe po u kërkon gazetarëve dhe studiuesve të verifikuar të aplikojnë për akses të plotë në këtë dataset me 100 gigabajtë.
Aktualisht, administratori i faqeve nuk i ka kthyer përgjigje një kërkese për koment nga TechCrunch. Nga ana tjetër, Root, Hoffmann dhe Fuchs pretendojnë se kanë identifikuar drejtuesen e faqeve si një grua nga Gjermania, megjithatë ky identitet nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.
Ky incident shfaq dobësinë në mbrojtjen kibernetike të faqeve që promovojnë urrejtjen dhe tregon rolin e rëndësishëm të hakerave dhe komunitetit të sigurisë në ekspozimin e tyre.
Tags: haktivizëm, siguri kibernetike, supremaci racore, rrjedhje të dhënash, kongresi i hakerave, inteligjencë artificiale
