ACTI – Bashkëpunim i suksesshëm për edukimin: nga auditorët drejt tregut të punës

Komiteti i Edukimit dhe Zhvillimit i Albanian Council for Technology and Innovation (ACTI) prezantoi sot përpara Bordit dhe komiteteve të ACTI-t nismën më të re: “Nga auditorët drejt tregut të punës.”
Kjo iniciativë është ndërtuar me përkushtim nga anëtarët e komitetit, me qëllim të qartë: të ndihmojë studentët të kalojnë me sukses nga jeta universitare në tregun e punës.
Në thelb, kjo nismë synon të ndërtojë ura të forta ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë përmes përfshirjes në projekte reale dhe me ndikim.
Përfitimet për studentët dhe pedagogët përfshijnë:
- Fitimin e përvojës praktike gjatë studimeve
- Pagesë për kontributin në projekte reale
- Përgatitje profesionale në përputhje me nevojat aktuale të tregut të punës
Nga ana tjetër, vetë ACTI dhe anëtarët e saj përfitojnë nga angazhimi i talenteve të reja, të motivuara dhe të përgatitura, duke reduktuar ndjeshëm kostot e rekrutimit dhe trajnimit të stafit pa përvojë.
Kjo nismë përfaqëson një model bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të dobishëm për të gjitha palët e përfshira.
“Të investosh sot në profesionistët e së nesërmes do të thotë të ndërtosh një treg pune më të përgatitur dhe një ekonomi më të qëndrueshme,” theksoi Ermal Beqiri, Kryetari i Këshilit të ACTI.
Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit, organizatorët dhe veçanërisht Bordin e Këshillit për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Iniciativa të tilla janë thelbësore për të ndërtuar ura reale ndërmjet arsimit dhe industrisë, duke formuar një fuqi punëtore më të përgatitur dhe më inovative.