Background waves

ACTI në Ditën e Industrisë së Teknologjisë 2025 | Berat

Berati u kthye për një ditë në një maratonë idesh dhe diskutimesh mbi të ardhmen e teknologjisë dhe integrimit europian të Shqipërisë. “Dita e Industrisë së Teknologjisë dhe Inovacionit”, pjesë e platformës kombëtare Shqipëria 2030, mblodhi përfaqësues nga qeveria, biznesi, akademia dhe diaspora.

ACTI  ishte në qendër të këtij dialogu. Në tryezën për “Kapitalin Njerëzor dhe Përshtatjen e Aftësive”, Ermal Beqiri solli një mesazh të qartë: Shqipëria ka mekanizmat për të ecur përpara, por duhet më shumë koordinim, standardizim dhe bashkëpunim mes aktorëve.

Në këtë tryezë u diskutuan sfidat dhe mundësitë për Shqipërinë digjitale, ku u identifikuan gjashtë veprime konkrete që duhet të ndërmerren:

  1. Trinomi Akademi–Biznes–Qeveri si ura që e mban ekosistemin të lidhur.
  2. Standardizim dhe certifikim për pedagogët dhe kurrikulat, që cilësia të jetë konkurrueshmëria jonë.
  3. Durana Tech Park – terreni ku do të lindin unicorn-ët e parë shqiptarë.
  4. Bursa të lidhura me rezultate, që garantojnë cilësi dhe përgjegjësi.
  5. Laboratorë të hapur inovacioni, ku kompanitë dhe kërkuesit rriten së bashku.
  6. Politikë e re bashkëpunimi me AKSHI-n, që çdo fond dhe projekt të ketë impakt real.

Në fjalën e tij, Ermal Beqiri theksoi: “Qeveria ka shprehur gatishmëri për të dëgjuar. Tani, mbetet në dorën tonë që gjatë katërmujorit të ardhshëm të fillojmë të prodhojmë rezultate konkrete dhe të shfrytëzojmë në maksimum mundësinë që na është dhënë sot, për të bashkuar kapacitetet dhe për t’i përdorur në mënyrën më optimale të mundshme.”

Ky takim forcoi idenë se teknologjia nuk është vetëm një sektor i ekonomisë, por një shtyllë strategjike e integrimit europian. Tani është radha jonë të bashkojmë kapacitetet, të prodhojmë rezultate konkrete dhe të tregojmë se ACTI  është i gjithë komunitetit të kompanive që duan të çojnë Shqipërinë përpara në inovacion.

Lajme & Evente