Një trajnim gjithëpërfshirës për të ardhmen e sigurisë kibernetike në Shqipëri

Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Universitetin Politeknik të Tiranës dhe organizatën ndërkombëtare FIRST, Albanian Council for Technology and Innovation (ACTI), përmes Komitetit të Edukimit dhe Zhvillimit dhe Komitetit të Sigurisë Kibernetike, organizoi një aktivitet gjithëpërfshirës, që synoi të afrojë të rinjtë me sfidat dhe kërkesat e tregut global të sigurisë kibernetike.
Ngjarja bashkoi në një hapësirë të vetme:
- Përfaqësues institucionalë
- Akademinë dhe studentët që po përgatiten si profesionistë të ardhshëm në këtë fushë
- Biznese dhe organizata nga niveli kombëtar dhe ndërkombëtar
Përmes platformës SimSpace, studentët patën mundësinë të përfshiheshin në një trajnim praktik të avancuar, ku u përballën me simulime reale të sulmeve kibernetike, duke fituar përvojë unike dhe të aplikueshme.
Në përfundim të aktivitetit:
- Të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikata pjesëmarrjeje
- Tre studentët më të mirë u vlerësuan me çmime motivuese, të sponsorizuara nga ACTI, si një njohje për talentin dhe angazhimin e tyre
Kryetari i Këshilit të ACTI, Ermal Beqiri, thekson shpesh se “Të rinjtë janë investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë për sigurinë digjitale të Shqipërisë. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë ura që i lidhin ata me botën reale të teknologjisë dhe inovacionit.”
Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugën drejt një të ardhmeje më të sigurt digjitale për Shqipërinë, duke fuqizuar gjeneratën e re me aftësi praktike dhe vizion global.