Background waves

Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë së ACTI | Fokus në partneritetet strategjike dhe të ardhmen digjitale

Mbledhja e Përgjithshme e Asamblesë së Albanian Council for Technology and Innovation (ACTI) u zhvillua me pjesëmarrjen e shumicës së kompanive anëtare, Bordit Drejtues dhe aktorëve kryesorë të ekosistemit teknologjik në Shqipëri. Nën drejtimin e kryetarit, Z. Ermal Beqiri, takimi u karakterizua nga një atmosferë energjike dhe konstruktive, duke u fokusuar në prioritetet dhe vizionin për gjysmën e dytë të vitit.

Në sesionin e parë, reflektuam mbi rrugëtimin tonë të përbashkët dhe rikonfirmuam objektivat strategjikë të ACTI-t. U përcaktuan gjithashtu prioritetet për gjashtëmujorin e ardhshëm, me synimin për të rritur ndikimin e platformës sonë dhe për të mbështetur anëtarët në sfidat dhe mundësitë që ofron tregu dinamik i teknologjisë dhe inovacionit.

Pjesa e dytë e mbledhjes solli një diskutim të veçantë mbi partneritetet strategjike. Patëm kënaqësinë të mirëpresim znj. Elira Kokona, Drejtore Ekzekutive e Albanian Investment Corporation (AIC), si dhe znj. Florensa Haxhi, bashkë-drejtuese e projektit Durana Tech Park. Ky projekt i ri synon të shndërrohet në një qendër referimi për startup-et, kompanitë dhe projektet inovative në nivel rajonal.

Diskutimet u përqendruan në mënyrat konkrete të përfshirjes së anëtarëve të ACTI-t në ekosistemin e Durana Tech Park, përfshirë procedurat e regjistrimit, mundësitë e bashkëpunimit dhe format e zhvillimit të përbashkët të projekteve. Ky shkëmbim idesh dhe vizionesh u vlerësua si një hap i rëndësishëm për të krijuar ura më të forta mes sektorit privat dhe institucioneve publike që udhëheqin transformimin digjital të vendit.

Mbledhja u mbyll me një mesazh të qartë  : “ACTI do të vijojë të jetë ura lidhëse mes komunitetit të inovacionit dhe politikave zhvillimore të vendit. Ky është angazhimi ynë për të ndërtuar së bashku të ardhmen digjitale të Shqipërisë.”

Lajme & Evente